Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Ambasadorja Anke Holstein shpjegon qëndrimin e Republikës Federale të Gjermanisë lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë

25.02.2022 - Соопштение за печат

Me sulmin ushtarak ndaj Ukrainës, qeveria ruse po shkel rregullat më elementare të rendit ndërkombëtar dhe të drejtës ndërkombëtare në një mënyrë të paprecedentë, para syve të botës. Paraqitja e qeverisë ruse se bëhet fjalë për një mision "paqeruajtës" shtrembëron Kartën e Kombeve të Bashkuara. Është turp që Bjellorusia është e përfshirë në këtë.

Vetëm qeveria ruse e zgjodhi këtë rrugë të agresionit të njëanshëm. As Ukraina, as NATO-ja dhe as të tjerët nuk kanë bërë asgjë për të justifikuar këtë gjakderdhje. Presidenti Putin hapur vë në pyetje të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar, duke shtrembëruar faktet historike. Pretendimi se NATO-ja e rrethoi Rusinë dhe e detyroi atë të ndërmerr një hap të tillë, është një gënjeshtër e kulluar. Nuk ka gjenocid në Ukrainën Lindore, siç pretendon Putini.

Gjatë muajve të fundit ne nuk kemi lënë gur pa lëvizur për të gjetur një zgjidhje paqësore për këtë krizë ruse përmes kanaleve diplomatike. Qeveria ruse nuk i është përgjigjur ofertës sonë për bisedime.

Ne do të koordinohemi ngushtë në kuadër të BE-së, në kuadër të NATO-s, në kuadër të  G7-tës dhe, natyrisht, edhe me Ukrainën. Ne do ta zbatojmë paketën e plotë me sanksionet më masive kundër Rusisë. Dhe do të forcojmë sigurinë tonë dhe aleatët tanë.

Sot nuk bëhet fjalë vetëm për Evropën. Asnjë vend në botë nuk mund të pranojë faktin që të disponohet me sovranitetin e të tjerëve, vetëm pse fqinji i tij më i fortë e dëshiron atë. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të pranojë shkelje të pajustifikuara të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, në veçanti ndalimin e përdorimit të forcës.

Jemi mirënjohës që qeveria e Maqedonisë së Veriut, ashtu si edhe ne, angazhohet për të mbështetur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe parimet themelore të OSBE-së dhe së bashku  me ne e kundërshton këtë agresion.

Sanksionet kundër Rusisë, rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe rënia e aksioneve të bursave do të kenë gjithashtu pasoja në Gjermani dhe në Maqedoninë e Veriut. Nëse tani nuk veprojmë me vendosmëri, do të paguajmë një çmim edhe më të lartë.

Karta e OKB-së është baza për të jetuar në mirëqenie dhe paqe.

Почеток на страницата