Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjalë përshëndetëse e Ambasadores Gjermane në pritjen me rastin e Ditës së Bashkimit më 3 tetor 2022

- Vlen fjala e folur -

I nderuar zoti President, i nderuar zoti Kryeparlamentar, i nderuar zoti Kryeministër, të nderuar ministre dhe ministra, të nderuar deputetë, të dashur kolege dhe kolegë, të dashur të pranishëm, 

Jam shumë e lumtur, që më në fund mund ta festoj Ditën e Bashkimit Gjerman me të gjithë ju. Pandemia e koronës e pengoi manifestimin dy vitet e fundit. 

Tani, atmosfera festive është e zbehtë për shkak të luftës agresore të Rusisë në Ukrainë. Mendimi ynë i parë iu dedikohet burrave dhe grave që mbrojnë lirinë dhe vlerat tona çdo ditë në Ukrainë. 

Tridhjetë e dy vjet ribashkimi gjerman – për bashkëshortin tim dhe për mua, të lindur dhe të rritur në RDGJ (Republiken Demokratike Gjermane), kjo është një festë e veçantë. 

Pa guximin e qytetarëve të RDGJ-së, të cilët e tundën murin mes Lindjes dhe Perëndimit, ne nuk do të ishim këtu. Rivendosja e bashkimit gjerman ishte një triumf i vullnetit të tyre për liri. 

Kjo u bë e mundur sepse miqtë dhe partnerët tanë besuan në zhvillimin paqësor dhe demokratik të Gjermanisë dhe e mbështetën këtë proces. Për këtë, përjetësisht u jemi mirënjohës. 

Këtë vit ne gjithashtu festojmë që Maqedonia e Veriut pas një procesi të gjatë frustrues dhe të mundimshëm për afrimin me BE-në, përfundimisht hyri në një fazë të re, hapja e negociatave për anëtarësim. 

Se sa kohë do të jetë e nevojshme për anëtarësim pas ndryshimeve kushtetuese, mvaret para së gjithash nga tempoja e reformave në vend. 

Ju mund të mbështeteni plotësisht në përkrahjen e Gjermanisë gjatë këtij procesi. Për këtë ju siguroi edhe kancelari federal gjatë vizitës së tij në muajin qershor në Shkup. 

Këtë vit ne festojmë edhe tridhjetë vjet bashkëpunim mes dy vendeve tona. Tridhjetë vjet ndihmë, shkëmbim, njohje, mësim nga njëri-tjetri, ndërtim urash mes vendeve tona dhe njerëzve të tyre. 

Projektet e ndryshme në mbarë vendin janë dëshmi e këtij bashkëpunimi mes pjesëmarrësve të ndryshëm gjermanë, duke përfshirë edhe Ambasadën dhe partnerët tanë në Maqedoninë e Veriut, të cilët sinqerisht i falënderojmë për bashkëpunimin e mirë. 

Ne vazhdojmë të avancojmë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt integrimit të plotë euroatlantik që të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme - për një jetë më të mirë për njerëzit këtu në harmoni me natyrën dhe mjedisin jetësor. 

Më në fund dëshiroj të falënderoj perzemërsisht sponzoret tanë - Drekselmejer, Kostal, Kromberg dhe Shubert, Marquardt dhe Telekom. Ata janë ndër investitorët më të mëdhenj gjermanë dhe punëdhënësit më të mëdhenj në vend dhe kontribuojnë për marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike mes vendeve tona.

Për muzikën do të kujdesen Shtefan Kriger të cilin e njoh që nga ditët e rënies të Murit të Berlinit dhe djali I tij Leonard. Faleminderit! 

Veçanërisht  dëshiroj të falenderoj ekipin tim për organizimin e festës së sotme. Dhe tani, ju dëshiroj të gjithëve të kaloni mirë!