Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts
Fjalimi i Ambasadores Gjermane me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë 2025
Fjalimi i Ambasadores Gjermane
E nderuar Kryetare,
I nderuar Kryetar i Parlamentit,
i nderuar zoti Kryeministër,
të nderuar deputetë të Kuvendit,
të nderuara ministre dhe ministra,
të nderuar kryetarë të komunitetit fetar,
të dashur partnerë të Gjermanisë,
të dashura bashkëqytetare dhe bashkëqytetarë,
të nderuar mysafirë,
përzemërsisht, mirë se erdhët në Ditën e Bashkimit Gjerman! Një falënderim i përzemërt për korin e mrekullueshëm amator të grave „Frida“ për këtë fillim plot energji. Sa bukur që e keni zhvendosur festën e ditëlindjes suaj të dytë sot këtu tek ne – faleminderit për këtë, gjithë të mirat për ditëlindje dhe ju lutemi tani një duartrokitje të vogël!
Kishim shpresuar për mot më të mirë për të festuar këtë ditë të veçantë me ju. Duhej të ishte një manifestim në kopsht. Kur stacionet meteorologjike, disa ditë më parë, parashikuan një valë të ftohtë dhe shi të rrëmbyeshëm, mu kujtuan të gjitha ato thënie të urta: Miqësia e vërtetë shihet vetëm kur i përballon së bashku stuhinë dhe shirat.
Miqësia dhe uniteti, si midis shoqërive ashtu edhe përbrenda tyre, sot janë më të rëndësishme se kurrë. Ne po përjetojmë një kohë të paqëndrueshmërisë dhe kthesa të papara. Po e përjetojmë se si katastrofat humanitare, se si luftërat dhe konfliktet e pamundësojnë për shumë njerëz një jetë me dinjitet. Edhe në Evropë, përsëri lufta po i përcakton veprimet tona politike, për shumicën e njerëzve e paimagjinueshme për dekada të tëra. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e ka tronditur në themelet e tij rendin e paqes evropiane. Rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po tregon çarje, sa që madje as themelet e demokracive tradicionale nuk po mund t’u bëjnë ballë.
Tek ne gjermanët, tronditja e rendit botëror depërton thellë në vetëdijen tonë. Sepse, edhe 80 vjet pas përfundimit të tmerrit të Luftës së Dytë Botërore, ende është gjallë në kujtesën tonë mrekullia e besimit të ri që u krijua. Ai besim u bazua mbi bindjen e fortë se, përmes mbrojtjes së përbashkët të lirisë, mund të ndërtojmë një rend që garanton njerëzimin. Ishte pikërisht besimi, që vendit tim i hapi rrugën për t’u rikthyer në bashkësinë e popujve. Dhe ishte pikërisht besim në rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ai që me Traktatin 2+4 më në fund i hapi rrugën ribashkimit të Gjermanisë.
Për Gjermaninë, nga kjo lind një përgjegjësi e veçantë për të mbrojtur drejtësinë, paqen dhe respektin. Është mirë të dihet se Maqedonia e Veriut është një partner i besueshëm në anën tonë. Së bashku marrim përgjegjësi, për shembull, brenda Kombeve të Bashkuara, ku Gjermania po kërkon përsëri një vend si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Së bashku qëndrojmë ngushtë në kuadër të NATO-s.
Gjermania dhe Maqedonia e Veriut, krah për krah.
Si gjermanë e shohim veten me përgjegjësi që të angazhohemi për një Evropë të fortë, pikërisht tani, në kohën e tronditjeve. Dhe këtë duam ta bëjmë krah për krah me partnerin tonë, Maqedoninë e Veriut.
Nëse rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është i brishtë, nëse politika e fuqisë zëvendëson sundimin e ligjit dhe nëse varësia ekonomike përdoret si armë, atëherë edhe premtimi evropian për siguri, stabilitet dhe mirëqenie rrezikon të bëhet i brishtë.
Zonja dhe zotërinj,
disa prej jush mund të jenë duke menduar tani: kjo nuk ka të bëjë me ne, ne nuk jemi anëtarë të BE-së, por „vetëm“ jemi në rrugën drejt saj.
Por ky mendim nuk është i mjaftueshëm. Sepse Evropa nuk përfundon në kufijtë aktualë të BE-së. Turbulencat ekonomike, tensionet gjeopolitike, sfidat e sigurisë, asnjëra prej tyre nuk ndalet në pikat doganore apo pikat kufitare. Qoftë një shtet anëtar apo në rrugën për t'u anëtarësuar: ne të gjithë jemi pjesë e një hapësire të përbashkët evropiane që tronditet nga të njëjtat forca.
Evropa është një hapësirë e ndërthurur që nuk mund të mendohet si një qendër e vetme. Hapësira jonë e përbashkët evropiane zhvillohet në shumë nyje, të cilat ashtu si yjet, fuqinë e tyre rrezatuese e zhvillojnë në kohë dhe zona të ndryshme.
Kjo ndërthurje e Evropës nuk ka ndodhur tani, në kohën e sotme. Edhe në antikë ekzistonin nyje të këtilla, të cilat lidhnin hapësira të largëta gjeografike. Mendoni për qytetet e mëdha arkeologjike këtu, mendoni për Skupin ose Heraklenë. Janë vende, të cilat tregojnë të kaluarën e përbashkët evropiane. Arkeologë gjermanë dhe maqedonas kanë vendosur që të hulumtojnë këtë të kaluar të përbashkët. Ata edhe më tej e pasurojnë bashkëpunimin tonë gjermano-maqedonas, bashkëpunimin evropian. Me Institutin Arkeologjik Gjerman (DAI) dhe Qendrën Leibniz për Arkeologji, institucione të shkëlqyera kërkimore po hyjnë në skenën e marrëdhënieve gjermano-maqedonase.
Na lejoni të kalojmë nga antika në të tashmen. Edhe në Evropën e sotme, nyjat antike gjejnë ekuivalentët e tyre: mjafton të mendoni për rrjetëzimin tonë digjital. Samiti „Western Balkans Digital Summit“, që u mbajt në dy ditët e kaluara në Shkup në kuadër të Procesit të Berlinit, e ka vendosur: Të punojmë për të ardhmen e përbashkët digjitale, që garanton qasje të barabartë dhe dobi maksimale.
Për rrjetëzimin digjital të qarkullimit financiar, infrastruktura konkrete quhet SEPA: sistemi i unifikuar evropian i pagesave. Ajo lidh nyjat brenda hapësirës evropiane në një tërësi më të madhe, duke krijuar një hapësirë moderne të lëvizshmërisë. Brenda disa ditësh, SEPA do të jetë funksionale në Maqedoninë e Veriut. Një nyje e re, një yll i ri nën qiellin e SEPA-s!
Zonja dhe zotërinj,
Në Gjermani, konsiderohet si një mënyrë e mirë që të kërkohet nga ekonomistët të llogarisin se çfarë do të thotë një hap i tillë për ekonominë me shifra konkrete. Ne e bëmë pikërisht këtë dhe intervistuam ekspertë ekonomikë gjermanë. Përgjigja e tyre: përfitimet e drejtpërdrejta ekonomike që vijnë nga anëtarësimi në SEPA, nga ulja e tarifave për pagesat ndërkufitare, janë të jashtëzakonshme. Kompanitë dhe personat privatë që transferojnë fonde midis Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera në zonën SEPA do të kursejnë rreth 62 milionë euro në vit.
Por sigurisht që kjo nuk ka të bëjë vetëm me numrat. Ne po zgjerojmë hapësirën tonë të përbashkët evropiane të besimit, sigurisë dhe ndjenjës së të qenit pjesë e një tërësie më të madhe. Një hap i madh në rrugën drejt integrimit evropian, i cili Gjermaninë dhe Maqedoninë e Veriut i afron edhe më shumë.
Evropa po e jeton integrimin përmes infrastrukturës. Ndërthurja që arrihej në kohën antike përmes rrugëve, tregjeve dhe qyteteve, tani arrihet përmes rrjeteve digjitale dhe sistemeve financiare. Integrimi evropian nuk ndodh vetëm nga Brukseli apo Strasburgu, por nga forcimi i marrëdhënieve "në terren". Kjo është ajo që e bën Evropën kaq rezistuese. SEPA në qarkullimin e pagesave, rrjetet evropiane me fibra optike, hapësirat digjitale arsimore, të gjitha janë ekuivalente moderne të një magjistrale antike. Dhe ashtu si Skupi dhe Heraklea dikur shtriheshin në një magjistrale të tillë, e tashmja jonë digjitale dëshmon gjithashtu faktin se Maqedonia e Veriut është pjesë e hapësirës sonë të përbashkët evropiane.
Themelet për një Evropë të fortë që përfshijnë edhe Maqedoninë e Veriut janë të pamohueshme. Varet nga të gjithë ne të përpiqemi së bashku për këtë Evropë të fortë dhe të bashkuar, si ata që tashmë janë anëtarë të Bashkimit Evropian, ashtu edhe ata që kanë nisur rrugën për t'u anëtarësuar.
Premtimi evropian për siguri, stabilitet dhe mirëqenie për të gjithë ne mund të zgjasë vetëm nëse vazhdojmë të investojmë në solidaritetin dhe unitetin evropian. Sepse Evropa është më shumë sesa një union. Evropa është një hapësirë e përbashkët fati që duhet ta formësojmë dhe ta mbrojmë së bashku.
Ta marrim bashkërisht përgjegjësinë për Evropën tonë. Maqedonia e Veriut dhe Gjermania, si evropianë, krah për krah.
Faleminderit shumë.