Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Maqedonia e Veriut ka një zgjidhje

15.06.2023 -

Ministrja e Shtetit për Evropën dhe Klimën Anna Lürhmann: Gjermania gjithashtu dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut në BE

Anna Lührmann
Anna Lührmann© Anna Lührmann, Dominik Butzmann

Maqedonia e Veriut ka një zgjidhje, nëse këtë verë do të ndërmarrë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE. Një hap që do të mundësojë hapjen e kapitujve të parë në procesin e anëtarësimit në BE. Hapa të shpejtë dhe vendimtarë drejt BE-së janë në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, sepse ata do të përfitojnë fare drejtpërdrejt nga anëtarësimi i vendit të tyre në BE, qoftë nëpërmjet programeve të shkëmbimit dhe financimit ose përmes mbështetjes financiare për zgjerimin e infrastrukturës. Për këtë tani nevojiten: reforma të besueshme, forcimi i shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit, si dhe harmonizimi me standardet e BE-së, në të gjitha fushat e politikave.

Gjermania gjithashtu dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut në BE - ky ishte edhe mesazhi i Kancelarit federal Scholz, Presidentit federal Steinmeier dhe i Ministres për Punë të Jashtme Baerbock, gjatë vizitave të tyre në Shkup. Këtë mesazh si edhe mbështetjen tonë, fuqishëm e ritheksova gjatë tri vizitave që muajve të fundit më sollën në Shkup: Sepse anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të ishte një pasurim i ndërsjellë – unë jam plotësisht e bindur për këtë.

Megjithatë, vendimtare për këtë është suksesi i ndryshimit  të shumëpërfolur kushtetues, i cili aktualisht është duke u diskutuar në parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Ky është kusht për hapa të mëtejshëm në negociatat e anëtarësimit, të cilat zyrtarisht filluan më 19 korrik 2022. BE-ja dhe Maqedonia e Veriut ranë dakord për këtë në një kompromis që erdhi si pasojë e angazhimit të plotë politik të Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së. Nuk ka dyshim se ky kompromis kërkon sërish shumë nga Maqedonia e Veriut. Por është zgjidhja më e mirë që hap rrugën për procesin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Jam e bindur se Maqedonia e Veriut do të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm, për sa i përket ndryshimit  kushtetutës, në mënyrë që të promovojë  procesin e anëtarësimit në BE dhe të mundësojë përparim të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit me hapjet e kapitujve.

Konkretisht bëhet fjalë për përfshierjen në kushtetutë të pakicave që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Krahas komunitetit bullgar, në mënyrë eksplicite duhet të përmenden edhe anëtarët e komunitetit kroat, malazez,  slloven, hebre  dhe egjiptian. Kjo bëhet në përputhje me Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe vlerave themelore të Bashkimit Evropian. Shqetësimet se populli maqedonas,  si rezultat i këtij ndryshimi kushtetues do të hiqte dorë nga pjesë të identitetit të tij,  janë krejtësisht të pabaza. Përkundrazi: nëse në kushtetutë mbrohen edhe pakicat, kjo tregon se sa i fortë është një shtet ligjor.

Më 15 qershor, Bundestagu gjerman do të  debatojë lidhur me një kërkesë në të cilën përfaqësuesit e popullit gjerman do të shprehin respektin e tyre të thellë për identitetin, kulturën, gjuhën dhe historinë maqedonase dhe do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj reformuese drejt BE-së..

Përfshirja e grupeve të ndryshme të pakicave në kushtetutë jo vetëm që forcon mbrojtjen e minoriteteve, por edhe karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut – një shembull në rajon. Kjo është në përputhje me idenë evropiane: Të bashkuar në diversitet!

Prandaj u bëj thirrje të gjitha partive dhe deputetëve të përfaqësuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut që të votojnë për ndryshimin kushtetues. Kjo është një votë për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo është një votë për miqëqenien e miqve tanë që jetojnë në Maqedoninë e veriut. Një e ardhme e përbashkët që të gjithë e dëshirojmë, që është reale dhe e arritshme.

Mund të premtoj se Maqedonia e Veriut, edhe në të ardhmen mund të llogarisë në mbështetjen e plotë të Gjermanisë në çdo hap drejt BE-së. Le të ecim në këtë rrugë së bashku – ia vlen!