Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Të mbështetet Maqedonia e Veriut në mënyrë aktive në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian

Kërkesë e grupeve parlamentare të SPD, Aleanca 90/Të Gjelbrit dhe FDP

Bundestagu gjerman të vendosë:
I. Bundestagu gjerman konstaton:  

Viti 2023 është një vit vendimtar për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut. Gjermania është fuqishëm e përkushtuar për sa i përket perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe e mbështet vendin me vendosmëri në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.

Maqedonia e Veriut shpalli pavarësinë e saj në shtator 1991. Para 30 vitesh shteti i ri u njoh nga Republika Federale e Gjermanisë dhe u vendosën marrëdhënie diplomatike. Në vitet në vijim, u zhvilluan marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta dhe të mira ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë. Marrëdhëniet janë të shumëllojshme dhe aq më tepër të karakterizuara nga marrëdhënie të panumërta personale midis njerëzve nga të dy vendet. Në fushën e ekonomisë, kulturës, shkencës dhe shoqërisë civile, ekziston një partneritet i ngushtë midis Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, partneritet që është rritur gjatë dekadave.

Që nga 15 dhjetori 2005 Maqedonia e Veriut e ka statusin zyrtar të vendit kandidat. Një vit më parë, më 1 prill 2004, hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Që nga dhjetori i vitit 2009, qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë mundesinë të udhëtojnë pa viza në BE.

Në dy dekadat e fundit, Maqedonia e Veriut ka kaluar nëpër disa faza të ndryshme, në të cilat ekzistonte rreziku pjesërisht të humbet orientimi i qartë i afrimit drejt BE-së  dhe vlerat e saj. Vitet e fundit, vendi i është rikthyer një kursi dhe procesi reformash realiste dhe ambicioze euroatlantike.

Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është nënshkruar më 1 gusht 2017, ndërsa  Marrëveshja e Prespës me Greqinë për tejkalimin e çështjes së emrit është nënshkruar më 17 qershor 2018. Më 27 Mars 2020 pasoi anëtarësimi në Aleancën e mbrojtjes NATO (North Atlantic Treaty Organization). Që atëherë, qëllimi kryesor i politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut ka qenë dhe ngelë anëtarësimi në BE.

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është një interes i ndërsjellë. Një rrugë e suksesshme drejt anëtarësimit në BE ngërthen në vete një efekt simbolik të gjerë për të gjithë rajonin. Maqedonia e Veriut është një shembull multietnik. Bundestagu gjerman e njeh kulturën, identitetin dhe gjuhën maqedonase. Në Bashkimin Evropian, i karakterizuar nga një diversitet i madh gjuhësh dhe kulturash, gjuhët janë pjesë e rëndësishme përbërëse e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. Diversiteti gjuhësor praktikohet në shumëgjuhësinë në programe dhe në punën e institucioneve. Gjuha dhe kultura maqedonase, këtë diversitet do ta pasurojnë edhe më shumë. Ruajtjen dhe mbrojtjen e kësaj pasurie, Bashkimi Evropian e konsideron si një nga detyrat e tij më të rëndësishme.

Kapërcimi i vonesës lidhur me negociatat për anëtarësim në BE pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës tashmë është vendimtar për suksesin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje dypalëshe për zgjidhjen e çështjes së emrit, e cila u arrit shpejt pas negociatave të mundimshme, të ndërmjetësuara nga OKB-ja, nënvizoi vullnetin dhe gatishmërinë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për integrimin euroatlantik, duke hapur kështu perspektivat për fillimin e shpejtë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bundestagu gjerman pret zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës nga të dyja palët. Një sfidë e re gjatë tre viteve të fundit, paraqet një ngarkesë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të çështjeve dypalëshe me Bullgarinë fqinje, e cila madje çoi në zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut më 15 korrik 2020 dhe vuri në pikëpyetje besueshmërinë në Bashkimin Evropian dhe në gjithë procesin e zgjerimit në popullsi, në rajon dhe në vendet që synojnë anëtarësimin. Pavarësisht nga një sërë përpjekjesh nga të dyja palët dhe ndihmës nga disa shtete anëtare të BE-së, këto dallime ende nuk janë kapërcyer plotësisht.

Bundestagu gjerman sheh rrezikun që procesi i deritanishëm i zgjerimit të BE-së të bllokohet sërish për shkak të konflikteve dypalëshe. Edhe pse konferenca e parë e anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut u zhvillua më 19 korrik 2022, deri më tani ende nuk është hapur asnjë kapitull negociues me Maqedoninë e Veriut. Sipas një kompromisi të arritur nga Këshilli me Maqedoninë e Veriut në verën e vitit 2022, si parakusht për të gjitha hapat e mëtejshëm të integrimit është një ndryshim kushtetues, i cili parashikon përfshirjen e grupit të popullsisë bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, krahas grupeve tjera etnike tashmë të listuara në kushtetutë, dhe që kërkon një shumicë prej dy të tretash në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Bundestagu gjerman është i mendimit se duhet bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, në mënyrë që të krijohen kushtet për hapin e ardhshëm në procesin e anëtarësimit të Maqedoninë së Veriut. Bundestagu gjerman përshëndet përpjekjet e të dyja qeverive në Shkup dhe Sofje për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme kulturore dhe ekonomike, me qëllim intensifikimin pragmatik të procesit të përafrimit.

Maqedonia e Veriut që nga fillimi e dënoi qartë agresionin luftarak të Rusisë kundër Ukrainës, e cila shkeli ligjin ndërkombëtar dhe, si shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet e tjera në rajon, në pushtimin rus, sheh një shkelje të rëndë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut iu bashkua të gjitha masave restriktive të BE-së kundër Rusisë dhe në kohë të duhur dërgoi pajisje ushtarake në Ukrainë. Edhe me këtë veprim, vendi nënvizon edhe një herë besueshmërinë dhe gatishmërinë e tij për të përmbushur pa humbur kohë synimet e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së si dhe detyrimet ndërkombëtare. Në një konferencë ndërqeveritare, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, nënvizoi: "Maqedonia e Veriut tashmë është 100 për qind në një linjë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së." (https://www.euractiv.de/section/eu-aussenpolitik/news/nordmazedonien-zeigt-sich-bei-eu-mitgliedschaft-zuversichtlich/).

Maqedonia e Veriut këtë orientim të politikës së jashtme, si Kryesimi aktual me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e vazhdon edhe mëtej. Maqedonia e Veriut këtë mision e mori në një kohë kritike dhe të orientuar kah e ardhmja për OSBE-në. Është në interesin e Gjermanisë dhe Evropës që të mbështetet qeveria në Shkup me të gjitha mundësitë, në mënyrë që Kryesimi i OSBE-së në vitin 2023 të realizohet me sukses.

Raporti mbi vendin i publikuar nga Komisioni Evropian në tetor 2022, si pjesë e paketës së zgjerimit të BE-së, dëshmon se Maqedonia e Veriut në përgjithësi, në fushat kryesore ka bërë përparime të mira. Për sa i përket politikes së brendshme, qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet urgjentisht të vazhdojë me reformat e nevojshme në fusha të ndjeshme, si lufta kundër korrupsionit dhe rikthimi i besimit në sistemin gjyqësor, si edhe përzgjedhje dhe emërime më transparente të funksioneve të rëndësishme në administratën publike. Lufta efektive kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës si edhe kontrabandës ndërkufitare për të frenuar migracionin e parregullt, duhet të konsolidohet me partnerët evropianë. Gjermania mbështet procesin e nevojshëm reformues në vend, si për shembull përmes angazhimit të Fondacionit për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar. Kjo punë e rëndësishme duhe të vazhdojë në kontinuitet.

Si pandemia e  koronës, ashtu edhe lufta pushtuese e Rusisë kundër Ukrainës, e cila është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, kanë përkeqësuar gjendjen ekonomike dhe sociale të njerëzve në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në dy vitet e fundit. Rritja e çmimeve të energjisë dhe prodhimeve ushqimore në shtator të vitit 2022, solli një inflacionin vjetor deri në 18.7 për qind. Varësia e deritanishme pothuajse e plotë nga furnizimet me gaz rus, vuri në pah nevojën për të diversifikuar importet e energjisë, sa më shpejt të jetë e mundur. Prandaj, 80 milionë euro për mbështetje të menjëhershme buxhetore, të premtuara nga Komisioni Evropian për t’i kompensuar pasojat e çmimeve të larta të energjisë, janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Në këtë situatë të vështirë, si partitë qeveritare ashtu edhe ato opozitare në Maqedoninë e Veriut mbajnë përgjegjësi të madhe për ruajtjen e mirëqenies sociale dhe vazhdimin e kursit të orientuar drejt reformave demokratike. Ato janë vendimtare për rrugën drejt BE-së dhe gjithashtu në interes të Gjermanisë.

Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Maqedonisë së Veriut. Vëllimi i shkëmbimit tregtar nga janari deri në tetor 2022 arriti në gjithsej 3.6 miliardë euro, veçanërisht për shkak të furnitorëve të shumtë të automjeteve që veprojnë me sukses në Maqedoninë e Veriut. Që nga viti 1992, Gjermania është një nga partnerët më të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut në fushën e bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik. Kontaktet e mira dhe intensive politike midis Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut, duhet të të kultivohen edhe mëtej. Gjermania duhet të përdorë reputacionin e saj të lartë në rajon për të afirmuar të ardhmen evropiane të vendit dhe për të kontribuar në promovimin e besimit në BE përmes masave dhe nismave konkrete.

II. Bundestagu gjerman i bën thirrje Qeverisë Federale në kuadër të mjeteve të disponueshme buxhetore:

  1. Të inkurajojë Maqedoninë e Veriut që të bëjë çdo përpjekje për të krijuar kushtet për hapjen e kapitullit të parë negociues, para së gjithash zbatimin e kompromisit të verës 2022.
  2. Të vazhdojë me dhënien e mbështetjes intensive në procesin e reformës për të harmonizuar legjislacionin e vendit me atë të BE-së.
  3. Të vazhdojë fuqishëm, në mënyrë dypalëshe dhe në Këshillin e BE-së, të angazhohet për hapjen e kapitullit të parë negociues me Maqedoninë e Veriut dhe të nënvizojë gatishmërinë e pashembullt të vendit për integrim evropian, i cili është një shembull për të gjithë rajonin.
  4. T’i bëjë thirrje Bullgarisë që të mbështesë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së në kuadër të kompromisit të arritur me Këshillin dhe të përmbahet nga kushte të tjera përtej këtij komromisi.
  5. T’i shoqërojë në mënyrë konstruktive përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në fushën e reformës gjyqësore, reformës administrative, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe forcimin e shtetit ligjor.
  6. Përveç kësaj, të punohet në nivel evropian për zbatimin e procesit të modernizuar 2020 për negociatat e anëtarësimit, me të cilat duhet të mundësohet pjesëmarrja në hapa të ndërmjetëm atraktiv.
  7. Të stimulojë  ndryshimet në legjislacionin zgjedhor të rekomanduara nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës dhe reforma e Kuvendit në kuadër të dialogut Jean Monnet.
  8. Të shqyrtohet mundësia e thellimit të bashkëpunimit operacional dhe ndihmës teknike në fushën e veprimit të policisë me Maqedoninë e Veriut, si pjesë e “rrugës ballkanike” dhe si një vend transit për rrjetet e kontrabandës ndërkufitare, duke respektuar standardet e të drejtave të njeriut dhe azilit, si dhe duke promovuar masat për ndihmë në trajnim dhe modernizim të forcave të armatosura të Maqedonisë së Veriut.
  9. Të mbështeten masat e respektimit dhe dialogut ndërmjet grupeve të ndryshme të popullsisë në Maqedoninë e Veriut dhe të drejtat për mbrojtjen e pakicave, komunitetit LQBTIQ dhe gjithashtu personave me aftësi të kufizuara.
  10. Zgjerimi i mëtejshëm i iniciativave ekzistuese të arsimit profesional, në veçanti për të frenuar eksodin masiv të punëtorëve të kualifikuar.
  11. Të zgjerohet përmbajtja e programeve të politikave kulturore, arsimore, kërkimore dhe inovative, me qëllim intensifikimin e  marrëdhënieve me njerëzit e Maqedonisë së Veriut, duke u bazuar në vlerat e përbashkëta evropiane.
  12. Të zgjerohet dialogu në nivel evropian ndërmjet Prokurorisë Evropiane dhe autoriteteve hetuese në Maqedoninë e Veriut.
  13. Të veprohet në nivel evropian për të rritur dhe diversifikuar sigurinë energjetike dhe përzierjen energjetike të vendit, duke zgjeruar lidhjen me vendet fqinje dhe energjitë e rinovueshme.


Berlin, më XX.YY.2023

Dr. Rolf Mützenich dhe grupi parlamentar
Katharina Dröge, Britta Haßelmann dhe grupi parlamentar
Christian Dürr dhe grupi parlamentar