Mirë se vini në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme Federale
Tridhjetë e pesë vjet nga Trekëndëshi i Vajmarit: Rruga drejt unitetit evropian dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore
Së bashku për Evropën: Kristof Le Rigoler, Petra Dreksler, Mariush Brimora para veprës artistike që paraqet fragmente të Murit të Berlinit. Rënia e Murit, i cili ekzistoi nga viti 1961 deri në vitin 1989, konsiderohet si një simbol i tejkalimit të ndarjes evropiane © Ambasada Gjermane Shkup
Tridhjetë e pesë vjet më parë, më 28 dhe 29 gusht 1991, ministrat e Punëve të Jashtme të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë u takuan në Vajmar, në një moment që solli ndryshime të thella në kontinentin tonë.
Evropa kishte filluar të rimëkëmbej nga përçarjet e Luftës së Ftohtë. Siguritë e vjetra po zbeheshin, ndërsa një shpresë e re po merrte formë. Frymëzimi për deklaratën e miratuar në Vajmar buronte nga një bindje e thjeshtë, por gjithsesi ambicioze: demokracia, prosperiteti dhe siguria mund të arrihen vetëm përmes bashkëpunimit dhe bashkimit të forcave të të gjithë Evropës. Tre shteteve iu bë thirrje të merrnin një përgjegjësi të veçantë për ndërtimin e Evropës mbi bazën e solidaritetit, vlerave të përbashkëta dhe një të ardhmeje të përbashkët.
Prandaj, Trekëndëshi i Vajmarit nuk u krijua thjesht për të qenë një tjetër format diplomatik, por për të shprehur një ide më të gjerë evropiane. Franca dhe Gjermania u bashkuan me Poloninë demokratike, e cila po rikthehej në vendin e saj të merituar në një Evropë të bashkuar, me synimin për të kapërcyer ndarjet dhe për të siguruar që Evropa e re të ndërtohej në mënyrë gjithëpërfshirëse, për të gjitha shoqëritë që për një kohë tepër të gjatë kishin qenë të ndara për shkak të historisë dhe gjeopolitikës.
Sot, tridhjetë e pesë vjet më vonë, Evropa ndodhet sërish në një moment historik kthesë. Megjithatë, rrethanat nuk mund të ishin më të ndryshme nga optimizmi i vitit 1991. Agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës ka rrëzuar supozimet e ruajtura prej kohësh lidhur me sigurinë, duke na kujtuar se paqja nuk mund të merret si e mirëqenë dhe se liria dhe sovraniteti i një kombi evropian janë të pandashme nga siguria e të gjitha kombeve të tjera. Në këtë klimë pasigurie gjeopolitike, Trekëndëshi i Vajmarit bëhet më i rëndësishëm se kurrë më parë. Franca, Gjermania dhe Polonia japin kontributin e tyre përmes përvojave të ndryshme, perspektivave gjeografike dhe traditave strategjike. E megjithatë, përgjegjësia jonë e përbashkët është e qartë: të kontribuojmë për një Evropë të aftë të mbrojë veten, duke mbështetur Ukrainën dhe duke mbrojtur parimet mbi të cilat duhet të ndërtohet një paqe e qëndrueshme dhe e drejtë. Mësimi i Vajmarit është se uniteti evropian nuk kërkon uniformitet, por aftësinë për të dëgjuar tjetrin, për të harmonizuar perspektivat e ndryshme dhe për t’i shndërruar dallimet në veprime të përbashkëta. Në një Evropë që përballet me luftë dhe me pasiguri gjithnjë e më të madhe gjeopolitike, kjo aftësi nuk është luks. Ajo është një domosdoshmëri strategjike.
Për më tepër, siguria nuk përkufizohet më vetëm përmes fuqisë ushtarake. Dezinformimi, manipulimi i huaj i informacionit dhe ndërhyrja politike synojnë të thellojnë edhe më tej ndarjet, të ulin besimin tek institucionet demokratike dhe t’i shndërrojnë dallimet legjitime që ekzistojnë në shoqëritë tona në një burim të përhershëm konfrontimi. Trekëndëshi i Vajmarit e ka njohur këtë sfidë dhe ka zhvilluar bashkëpunimin me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë dhe reagimin më efektiv ndaj manipulimit të informacionit. Në të njëjtën kohë, siguria ka edhe një dimension të rëndësishëm ekonomik. Për një Evropë të fortë dhe të qëndrueshme nuk nevojiten vetëm forca të armatosura më të fuqishme, por edhe zinxhirë të sigurt furnizimi, infrastrukturë moderne, inovacion teknologjik dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet qeverive dhe sektorit të biznesit.
Fuqia e Trekëndëshit të Vajmarit qëndron në fleksibilitetin e tij dhe në bazën e gjerë mbi të cilën është ndërtuar. Ai nuk është vetëm një forum për qeveritë, por përfaqëson një rrjet unik ku përfshihen parlamentet dhe shoqëria civile. Përmes shkëmbimeve rinore dhe nismave në fushën e kulturës, Trekëndëshi ka dëshmuar se integrimi evropian është më i suksesshëm kur vjen nga populli.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor. Ndërsa Maqedonia e Veriut po përgatitet të kremtojë 35-vjetorin e pavarësisë së saj, ia vlen të kujtojmë se që atëherë parimi udhëheqës i shtetit ka qenë zgjedhja strategjike e Evropës. Ky orientim afatgjatë drejt integrimit evropian vazhdon të jetë themeli i partneritetit tonë të ngushtë.
Në këtë kontekst, Trekëndëshi i Vajmarit nuk ofron vetëm frymëzim, por edhe mbështetje konkrete. Jemi të bindur se rruga drejt anëtarësimit në BE është më efektive nëse mbështetet nga një shoqëri civile e fuqishme dhe dialogu parlamentar. Pikërisht për këtë arsye, tre shtetet tona mbështesin aktivisht shkëmbimet rajonale në Ballkanin Perëndimor – përmes Procesit të Berlinit, programeve të posaçme të vizitave ose projekteve të përbashkëta rinore. Synojmë të kultivojmë të njëjtën frymë solidariteti dhe besimi të ndërsjellë që ka përcaktuar Trekëndëshin e Vajmarit.
Historia e aleancës sonë ofron një mësim jetësor: një histori e vështirë nuk është e detyruar të përcaktojë edhe të ardhmen. Trekëndëshi i Vajmarit u krijua pikërisht për të lehtësuar procesin e pajtimit. Franca, Gjermania dhe Polonia treguan se, me guxim politik dhe bashkëpunim institucional, një trashëgimi e mbushur me konflikte dhe mosbesim të ndërsjellë mund të shndërrohet në një partneritet të bazuar në besim. Pajtimi ndërmjet Polonisë dhe Gjermanisë, i mbështetur dhe i mishëruar në mënyrë aktive edhe përmes partneritetit tonë me Francën, mbetet një nga shembujt më të fuqishëm të asaj që mund të arrihet përmes bashkëpunimit afatgjatë. Ky është një dëshmi se e ardhmja nuk duhet të jetë peng i së kaluarës.
Pikërisht këtu, Trekëndëshi i Vajmarit mund të ofrojë frymëzim për Ballkanin Perëndimor. Marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk duhet të shihen vetëm si një detyrim në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ato janë, para së gjithash, një investim në sigurinë, prosperitetin dhe të ardhmen e qytetarëve. Për këtë nevojiten durim, empati dhe vullnet për të punuar mbi çështjet e vështira. Pajtimi i vërtetë nuk do të thotë të harrosh të kaluarën tënde, por të kesh mjaftueshëm besim në identitetin tënd për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët me fqinjët.
Tridhjetë e pesë vjet pas takimit në Vajmar, ideja thelbësore që qëndron pas Trekëndëshit mbetet jashtëzakonisht bashkëkohore. Evropa është më e fortë kur kombet e saj nuk mbyllen pas dallimeve të tyre, por ngrihen për të marrë përgjegjësi së bashku. Realiteti i vitit 2026, i përballur me luftën në Ukrainë, kërcënimet hibride, fushatat e dezinformimit dhe pasigurinë gjithnjë e më të madhe gjeopolitike, dëshmon se premisat fillestare mbi të cilat u ndërtua Trekëndëshi i Vajmarit jo vetëm që meritojnë të mbahen mend, por edhe të ripërtërihen.
E ardhmja e Evropës do të varet nga aftësia jonë për të vazhduar të ndërtojmë ura aty ku historia ka krijuar ndarje. Kjo është mesazhi i përjetshëm i Vajmarit.
Ushtruesi i detyrës i Polonisë, Mariush Brimora
Ambasadorja e Gjermanisë, Petra Dreksler
Ambasadori i Francës, Kristof Le Rigoler