Mirë se vini në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme Federale

Fjalimi i Ambasadores në ditën e Bashkimit Gjerman 2026

06.10.2026 - Artikull

Maqedonia e Veriut dhe Gjermania, në një partneritet, që krijon, qëndron dhe na çon përpara bashkë, si pjesë e një Evrope të fortë.

Zonja dhe zotërinj,

kur shikojmë prapa vitin që lamë pas, mbizotëron një përfundim: po jetojmë në kohë të pasigurta. Siguritë që i merrnim si të vetëkuptueshme janë lëkundur. Peizazhet tona politike po ndryshojnë dhe janë shtuar momente të reja pasigurie, përfshirë edhe Gjermaninë.

Megjithatë, disa gjëra të sigurta mbeten. Për Gjermaninë, njëra prej tyre është aftësia për t'i përballuar sfidat brenda një kuadri të qëndrueshëm ligjor, si dhe gatishmëria për të reflektuar mbi demokracinë tonë dhe për ta kultivuar atë në mënyrë aktive. Për Gjermaninë dhe për marrëdhënien tonë me Maqedoninë e Veriut, këtu bën pjesë edhe ankorimi i fortë në lidhjet tona evropiane.

Megjithatë, ka një kontradiktë në mënyrën se si e shohim sot botën. Vetë vetëdija për pasigurinë duket se është shndërruar në një siguri më vete. Kemi mësuar ta përshkruajmë botën si „të pasigurt“, dhe këtë e bëjmë me një siguri gati si në gjumë, sikur, në njëfarë mënyre të kishim arritur ta vëmë nën kontroll botën, pavarësisht kaosit të saj.

Shkrimtari Vlada Urosheviq e përshkruan këtë tension në një mënyrë shumë të hijshme. Përmes njërit nga romanet e tij, ai thotë fillimisht se e ka shpikur gjithë historinë. Por me kalimin e kohës ndodhën gjëra që e bënë të dyshojë nëse historia e familjes së shpikur prej tij, e një farmacisti dhe e një shtëpie buzë Vardarit, ishte vërtet trillim, apo edhe ndoshta ishte e vërtetë. Për ta ndërthurur sa më mirë fantazinë e tij me realitetin, ai i kishte telefonuar një të njohure dhe i kishte treguar historinë e „shpikur“. Përgjigjja e saj ishte e thjeshtë: po, e njihte familjen, e njihte farmacistin, madje e njihte edhe shtëpinë.

Shkrimtari nxjerr prej kësaj një mësim të qartë: nuk mund të jemi kurrë të sigurt se ku kalon në të vërtetë kufiri midis imagjinatës sonë dhe realitetit të vërtetë.

Ne përballemi edhe me problemin e kundërt. Humbasim në rrëfimet tona dhe rrezikojmë ta ngatërrojmë imagjinatën tonë me realitetin. Ndoshta ky është një paralajmërim i nevojshëm për kohën tonë: kujtojmë se e kemi një pasqyrë të plotë, ndërsa në të vërtetë shohim kryesisht pasqyrimin e bindjeve tona.

Një rrugë që premton sukses, për të dalë nga dhomat tona të jehonës, është, ta shohim botën me sytë e tjetrit.
Pikërisht këtu nis partneriteti.

Partneriteti nuk ka të bëjë me atë që të kemi të njëjtat përgjigje. Ka të bëjë me guximin për t'u përballur bashkë me pasigurinë dhe për të marrë bashkërisht përgjegjësi për atë që mund të vijë.

Por kujdes: nëse e pranojmë idenë e pasigurisë, atëherë kjo vlen edhe për vetë idenë e partneritetit.

Asnjë partneritet nuk është i vetëkuptueshëm. Edhe ky i yni nuk bën përjashtim.

Gjithçka që duhet të jetë e qëndrueshme kërkon njerëz të gatshëm të marrin përgjegjësi për të.
Për mua, partneriteti i vërtetë mbështetet te besimi. Dhe besimi nuk është ndjenjë. Besimi është vendim. Është vendimi për të shtrirë dorën, edhe kur rezultati nuk është i garantuar. Është vendimi për t'u nisur në një udhëtim të përbashkët, ndonjëherë të vështirë, duke e ditur se rezultati varet nga të dyja palët.

Dhe kjo, përsëri, kërkon aftësinë për të shpresuar.

Disa prej jush ndoshta po buzëqeshin me vete për fjalën „shpresë“. Ndoshta mendoni se aleancat politike, të ndërtuara si instrumente taktike, u përshtaten më mirë kohëve të pasigurta. Nga ky këndvështrim, koncepti i „shpresës“ duket pothuajse anakronik.

Por shpresa nuk do të thotë optimizëm naiv që mbështetet në idenë se gjithçka do të rregullohet vetvetiu. Unë preferoj këndvështrimin e filozofit gjerman Ernst Bloch: „utopia konkrete“ e tij e përkufizon shpresën si aftësi për të vepruar. Kjo të çon më pas në një politikë të mundësive, mundësi që janë të pranishme në të tashmen, por që bëhen realitet vetëm përmes veprimit. Bloch e dinte nga përvoja e vet jetësore se e ardhmja shpeshherë vjen ndryshe nga ajo që kemi shpresuar. Megjithatë, ai këmbëngulte se historia ende nuk ka përfunduar. Dhe, meqë po flasim për mundësitë: gjatë ditës së sotme kemi mësuar se e ardhmja po merr formë pikërisht tani. Lajmi se shkencëtarë gjermanë, së bashku me një koleg amerikan, janë nderuar me Çmimin Nobel në Mjekësi është një shembull i mrekullueshëm. Përparimet në optogjenetikë mund të jenë dukur si fantashkencë vetëm pak vite më parë, por sot ato na mundësojnë të identifikohet struktura e trurit të gjallë dhe të verbërve t’u rikthehet shikimi. Kjo dëshmon se “e pamundura” mund të arrihet kur kureshtja dhe këmbëngulja kapërcejnë kufijtë.

Ata që dallojnë farën e suksesit tek ajo që ende nuk ka përfunduar, jo domosdoshmërisht gjejnë lehtësim. Ajo që gjejnë është një shtysë për të vepruar.

A kemi ende forcë për të vepruar në këto kohë të pasigurta? A jemi të aftë t’u japim formë gjërave së bashku?
Ndoshta përgjigjen nuk duhet ta kërkojmë vetëm në ndërtesat qeveritare, por në praktikën e gjallë të shoqërive tona. Këtu shohim vullnetin për t’i dhënë formë së ardhmes përmes ekselencës akademike, siç dëshmon themelimi i Qendrës për të Drejtën Gjermane në Universitetin e Shkupit, një shprehje e dëshirës sonë për të punuar aktivisht për përafrimin e kulturave tona juridike.
E dëgjojmë në muzikën e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor, ku të rinjtë tregojnë se harmonia është e mundur, edhe kur bota politike globale tingëllon e çakorduar.

E ndiejmë te ngrohtësia e tregut gjerman të Krishtlindjeve të Shoqatës së Mësuesve të Gjuhës Gjermane në Prilep, ose te takimet e Shoqatës së Miqësisë Gjermano-Maqedonase.
E ndiejmë te entuziazmi i të rinjve që kthehen nga programet e shkëmbimit dhe angazhohen në rrjetet e alumnëve për ta vazhduar bashkëpunimin.

Dhe e matim atë te dinamika, që mund të ndihet, kur mbi 400 përfaqësues të biznesit mblidhen në Samitin Ekonomik Gjermano-Maqedonas.
Ka edhe shumë shembuj të tjerë që dëshmojnë se mund të mbështetemi në forcën e jashtëzakonshme të nismave individuale, një fuqi që i ndërton marrëdhëniet tona dypalëshe mbi themele shumë më të qëndrueshme sesa mund të ofrojë ndonjëherë çfarëdo marrëveshje në letër. Njerëzit po marrin prirjen; ata po u japin formë marrëdhënieve tona dypalëshe.

Kjo energji duhet të na shërbejë si inspirim.

Zonja dhe zotërinj,

ribashkimi i Gjermanisë më 3 tetor 1990 ishte shumë më tepër se një akt politik. Ai ishte fryt i një besimi të jashtëzakonshëm; ishte një triumf i shpresës mbi atë që dukej e pamundur. Ai dëshmoi se një vizion, që mund të duket utopik në çastin kur shprehet, por mund të bëhet realitet përmes guximit të përbashkët dhe vullnetit për të vepruar. U deshën më shumë se dyzet vjet dhe, për pjesën më të madhe të asaj kohe, kjo utopi dukej e paarritshme.

Si gjermane që jam rritur në RDGJ, vështirë se mund ta shpreh me fjalë mirënjohjen time ndaj arkitektëve të ribashkimit tonë. Guximi i tyre e bëri këtë utopi realitet. Sot nuk do të isha këtu para jush, po të mos ishin nisur ata në këtë rrugë.

Kur e shohim nga perspektiva e sotme, ribashkimi i Gjermanisë duket i pashmangshëm, por në atë kohë ai ishte një rrugëtim i mbushur me pasiguri të thellë.

Është e qartë se edhe Bashkimi Evropian mund të realizohet plotësisht. Jo dikur, jo në një të ardhme të largët, por nesër.
Varet nga ne. Gjithçka që na duhet është guximi për të ecur në këtë rrugë.

Le ta vazhdojmë të shkruajmë historinë e Evropës si një praktikë të përgjegjësisë së përbashkët. Maqedonia e Veriut dhe Gjermania, në një partneritet, që krijon, qëndron dhe na çon përpara bashkë, si pjesë e një Evrope të fortë.

lart