Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Arsim profesional (§16 a Paragrafi 1 ose 2 i Ligjit për qëndrim) 

15.01.2025 -

Ju lutemi përdoreni këtë fletë informacion për përgatitjen e dokumenteve tuaja në Portalin për shërbime konsullore. Aty mund të përgatisni aplikimin tuaj në mënyrë digjitale për regjistrimin e arsimit profesional. Zyra e vizave do t'ju japë informatë kthyese individuale për aplikimin tuaj, kështu që në takimin tuaj të caktuar do të vini vetëm me dokumentet që duhet të dorëzohen në origjinal, sipas renditjes së mëposhtme. 

Sapo kërkesa juaj të jetë kontrolluar paraprakisht, do të njoftoheni dhe do të merrni linkun për të rezervuar një takim. Ju lutemi të mos rezervoni takim paralelisht përmes sistemit të rregullt të takimeve të ambasadës. Takimi juaj në përfaqësinë diplomatike shkon shpejtë dhe në mënyrë të efektshme: i dorëzoni dokumentet origjinale, i jepni të dhënat tuaja biometrike (gjurmët e gishtërinjve dhe fotografi) dhe e paguani tarifën.

Dokumentet vijuese janë të nevojshme për përgatitjen e kërkesës suaj:
 

  • Formular kërkese – Formularin e kërkesës mund ta plotësoni drejtpërdrejtë në Portalin për shërbime konsullore (Auslandsportal) dhe aty t’i ngarkoni dokumentet e nevojshme.
  • Fotografi pasaporte - 1 fotografi biometrike aktuale për pasaportë, jo më të vjetër se 6 muaj, me sfond të bardhë, në madhësi 45 х 35 milimetra. (e domosdoshme ta keni në origjinal në takimin e caktuar).
  • Pasaportë të vlefshme - Pasaporta duhet të ketë të paktën 2 faqe të zbrazëta dhe të jetë e vlefshme të paktën 3 muaj pas skadimit të afatit të vizës. (e domosdoshme ta keni në origjinal në takimin e caktuar).
  • Tarifa - 75,00 Euro (me para në dorë në bankënota EURO ose me kartë krediti).
  • Kontrata për arsim profesional dhe Plani për arsim profesional (jo më të vjetra se 6 muaj) – të nënshkruara nga ndërmarrja që e kryen arsimin profesional dhe ju. Ato duhet të përmbajnë: punëdhënësin me adresë të plotë, fillimin dhe kohëzgjatjen e arsimit profesional, emërtimin e saktë të profesionit të synuar nga arsimi profesional, shumën e pagës gjatë arsimit profesional, orarin javor të punës dhe datën e lidhjes së kontratës. (e domosdoshme ta keni në origjinal në takimin e caktuar).

    Kontrata duhet të konfirmohet nga shoqata përkatëse profesionale (p.sh. IHK).

    Nëse paga mujore gjatë arsimit profesional nuk arrin një shumë mujore bruto prej 990,- € (në raste të arsimit profesional në ndërmarrje) respektivisht një shumë mujore neto prej 959,-€ (në raste të arsimit profesional në shkollë), duhet të dëshmohet shuma që mungon, edhe atë përmes:

    a)    një deklarate garancie - Verpflichtungserklärung (e lëshuar nga Zyra për të Huaj) për tërë qëndrimin, nga një person që jeton në Gjermani (e domosdoshme ta keni në origjinal në takimin e caktuar) ose
    b)    një vërtetimi nga një bankë gjermane për hapjen e një xhirollogarie të bllokuar (Sperrkonto) në emrin tuaj, me shumën që mungon. (e domosdoshme ta keni në origjinal në takimin e caktuar).

    Nëse keni strehim ose ushqim falas, ju lutemi të paraqitni dëshmi përkatëse.
  • Kontrata me shkollën ose konfirmimi i regjistrimit nga shkolla profesionale (e domosdoshme ta keni në origjinal në takimin e caktuar).
  • Synimi i arsimit profesional – shkresë, ku do të shpjegoni pse dëshironi të kualifikoheni në fushën e dëshiruar profesionale dhe cilat perspektiva profesionale i synoni me këtë arsim profesional.
  • Dëshmi mbi ndjekjen e deritanishme të shkollimit – p.sh. dëftesa e fundit shkollore. (e domosdoshme ta keni në origjinal në takimin e caktuar me përkthim në gjuhën gjermane).
  • Dëshmi  mbi njohuritë e gjuhës gjermane të nivelit B1 (e domosdoshme ta keni në origjinal në takimin e caktuar me përkthim në gjuhën gjermane).
    Certifikata gjuhësore që njihen janë certifikatat gjuhësore të Goethe-Institutit, të ÖSD-së ose të një nga shkollat e licencuara për gjuhë TELC ose ECL. Më shumë informacione mund të gjeni këtu.
  • Informacione lidhur me procedurën e përshpejtuar për punëtorë të kualifikuar mund të gjeni këtu

Kërkesa mund të dërgohet më tej për shqyrtim vetëm nëse janë paraqitur të gjitha dokumentet e renditura në fletë informacion. Kërkesat e paplota do të refuzohen dhe tarifa e paguar e vizës nuk kthehet.